Institucioni

Institucioni > Këndi i Biznesit të Vogël > Njoftime të rëndësishme

Biznesi i vogël në TVSH, në javën e tretë u trajnuan rreth 900 sipërmarrës, si dhe u vizituan në terren mbi 1,120 subjekte

Nga data 19 deri në datë 21 mars u zhvillua sesioni i tretë i trajnimeve të dedikuara të Drejtorive Rajonale Tatimore Tiranë, Durrës dhe Fier për biznesin e vogël që do të përfshihet për herë të parë në skemën e TVSH-së.

Në tre javët e para, numri total i pjesëmarrësve në këto trajnime, u llogarit në  më shumë se 300, të cilët përfaqësojnë rreth 900 subjekte.  Pjesëmarrësit u njohën në mënyrë të detajuar me procedurën që duhet të ndjekin në përmbushje të detyrimeve ligjore, konceptet e përgjithshme të TVSH-së, plotësimin dhe afatet e deklarimit të TVSH-së, librave të shitjes dhe blerjes, plotësimin dhe deklarimin e tyre, plotësimin e një fature tatimore etj..

Gjithashtu në rang vendi, vazhdojnë të realizohen vizita të dedikuara në terren nga punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesit në subjektet që do të përfshihen në këtë skemë, duke filluar nga data 1 Prill 2018.  Deri tani në total janë realizuar mbi 1,120 vizita në terren, ndërsa janë asistuar  mbi 1,100 subjekte në Këndin e dedikuar të Asistencës për Biznesin e Vogël.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po ngazhon ekspertët më të mirë të saj, në të gjithë vendin për të ofruar asistencë dhe informim sa më të plotë për të gjithë subjektet që do të përfshihen te kjo skemë.

Kalendari i trajnimeve që do të shtrihet deri në fund të muajit qershor është konceptuar për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë bizneseve të vogla, sipas shtrirjes së tyre gjeografike. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është e gatshme dhe ka të gjithë kapacitetet për të shtuar numrin e trajnimeve nëse kjo do të jetë e nevojshme.

Në total janë parashikuar rreth 100 sesione trajnimesh, si dhe rreth 10, 000 vizita këshilluese në adresën e biznesit. Për t’i ardhur në ndihmë të gjithë subjekteve janë ngritur 13 Kënde të Asistencës të dedikuara për Biznesin e Vogël.

Çdo drejtori rajonale, përmes specialistëve të zyrës së Shërbimit të Tatimpaguesve do të bëjë të mundur shpërndarjen e fletëpalosjeve dhe materiale informative të posaçme për të gjithë biznesin e vogël që do të përfshihen në skemën e TVSH-së në të gjithë vendin.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nxit dhe inkurajon të gjithë të interesuarit që të bëhen pjesë e këtyre trajnimeve dhe të njihen me të gjitha procedurat ligjore dhe detyrimet.