Institucioni

Institucioni > Këndi i Biznesit të Vogël > Afatet e deklarimit të Librave të Shitjes dhe Blerjes, si dhe Deklaratës së TVSH-së

Afatet e deklarimit të Librave të Shitjes dhe Blerjes, si dhe Deklaratës së TVSH-së

Duke filluar nga data 1 prill 2018, ka hyrë në fuqi kufiri i regjistrimit në TVSH për qarkullimin në një vit kalendarik prej 2,000,000 lekë.

Tatimpaguesit e Biznesit të vogël, të cilët gjatë vitit 2017, kanë realizuar një qarkullim prej 2.000.000 – 5.000.000 lekë, në bazë të këtij ndryshimi, janë regjistruar automatikisht nga Administrata Tatimore me përgjegjësinë tatimore të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Gjithashtu në këtë përgjegjësi duhet të regjistrohet edhe çdo tatimpagues ekzistues apo i regjistruar rishtazi, i cili parashikon të realizojë nje qarkullim mbi këtë kufi gjatë vitit 2018.

Çdo tatimpagues, i përfshirë në skemën e TVSH-së, duhet të regjistrojë në mënyrë kronologjike në librat e shitjes çdo faturë tatimore shitjeje të lëshuar prej tij, si dhe qarkullimin ditor të memorizuar të pajisjes fiskale në një shifër të vetme mujore. Po kështu, duhet të regjistrojë në librat e blerjes çdo faturë blerje malli me dhe pa TVSH, sipas kolonave përkatëse.

Të dhënat e blerjeve dhe shitjeve regjistrohen në Librat e Shitjes dhe Blerjes në baza mujore.

Deklarimi i Librave të Shitjes dhe Blerjes, për tatimpaguesit me qarkullim 2.000.000 – 5.000.000 lekë kryhet çdo 3-muaj, brenda datës 10 të muajit që pason 3-mujorin. Afati i parë i këtij deklarimi për periudhat tatimore: Prill- Maj-Qershor 2018, është data 10 Korrik 2018, dhe më pas 10 Tetor 2018, 10 Janar 2018, 10 Prill 2019 e në vijim. Dorëzimi i librave kryhet në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit e-Filing, pra nga llogaria e deklarimit elektronik të vetë subjektit tatimpagues.

Totalet e të dhënave të regjistruara në Librat e shitjes dhe blerjes, plotësohen në rubrikat përkatëse të Deklaratës mujore të TVSH-së, e cila dorëzohet në të njëjtën mënyrë, dhe brenda të njëjtave afate si edhe Librat e Shitjes dhe Blerjes

Dokumenta ndihmëse