Deklarimi elektronik i tatimeve
Ju mund të bëni deklarimin e tatimeve tuaja thjesht e shpejt në mënyrë elektronike, nga kompjuteri juaj, duke ndjekur hapat e mëposhtme:
1. Klikoni mbi “Tatimet e mia” tek “Shërbimet elektronike” në të majtë të ekranit.
2. Plotësoni NIPT-in dhe “Password”-in (Fjalëkalimin) dhe klikoni mbi butonin “Log-In” (Hyr) për t’u futur në sistem.
3. Në këtë faqe të parë që do të hapet, ju do të shihni në të majtë deklaratat tatimore dhe në fund opsionin “Ndrysho Fjalëkalimin”. Duke klikuar mbi të, ju keni mundësi të ndryshoni fjalëkalimin sipas dëshirës suaj.
4. Në listën e deklaratave tatimore në të majtë të ekranit, klikoni mbi atë deklaratë që dëshironi të plotësoni.
5. Klikoni opsionin “Deklarim i Ri”, i cili ndodhet djathtas listës së deklaratave tatimore dhe në ekran do t’ju shfaqet formulari përkatës me rubrikat që duhet të plotësoni.
6. Klikoni dhe mbi opsionin “Deklarim Përmbledhës” për të vazhduar plotësimin e të gjitha rubrikave.
7. Në përfundim, klikoni në fund të ekranit djathtas butonin “Tjetër” për të ruajtur deklaratën. Do t’ju rishfaqet faqja e parë me listën e deklaratave tatimore, në qendër të së cilës tashmë paraqitet në një rresht të klikueshëm ngjyrë gri, titulli dhe detaje identifikuese të deklaratës që ju sapo mbushët.
8. Deri në skadimin e afateve kohore ligjore për secilën deklaratë, pra deri në datën 14 për TVSH-në dhe në datën 20 për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore si dhe për tatimin mbi të ardhurat nga punësimi, ju mund të klikoni mbi rreshtin e sipërpërmendur gri për të ndryshuar sipas nevojës të dhënat e plotësuara. Për të ruajtur ndryshimet, klikoni në fund të ekranit djathtas butonin “Ruaj dhe mbyll”.
9. Për të pasur një kopje të deklaratës përfundimtare që plotësuat si dhe për të kryer pagesën në bankë, në faqen e parë me listën e deklaratave tatimore, klikoni opsionin “Eksporto në PDF”. Në ekran do t’ju shfaqet deklarata tatimore e plotësuar. Ju mund ta ruani atë në kompjuterin tuaj dhe ta printoni.