 |
Byroja Ndërkombëtare e Dokumentacionit Fiskal
© Të gjitha të drejtat të rezervuara. |
Fjalori Tatimor Ndërkombëtar, tradicionalisht, është konsideruar nga përdoruesit e tij të shumtë nga e gjithë bota, përfshirë profesionistët, akademikët, studentët, gjykatat dhe administratat tatimore, si një burim kompetent për përcaktimin e termave tatimore. Projekti i Marrëveshjes Prag të Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë, nën administrimin e USAID, ka bërë përkthimin e këtij fjalori në gjuhën shqipe, nga i cili, në marrëveshje me Byronë Ndërkombëtare të Dokumentacionit Fiskal (
www.ibfd.org), është rënë dakord që të botohen 300 kopje për Administratën Tatimore shqiptare dhe për disa përdorues të tjerë të rëndësishëm, si ente shtetërore, shoqata bisnesi dhe universitete. Gjithashtu, është rënë dakord që të publikohen në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve 200 terma që janë konsideruar si më të rëndësishme dhe më të përdorshme në legjislacionin dhe praktikat tatimore shqiptare. Këto mund t’i gjeni në vijim:
ACCELERATED DEPRECIATION – AMORTIZIM I PËRSHPEJTUAR
Metodë e amortizimit të aktiveve të trupëzuara sipas së cilës zbritjet (normat e amortizimit) në vitet e para të jetës së një aktivi janë më të larta se ato sipas metodës lineare të amortizimit. Përgjithësisht përdoret për të nxitur investimet kapitale në një kategori të caktuar aktivesh. Shembuj të kësaj metode përfshijnë metodën e amortizimit me vlerë të mbetur në rënie, lehtësitë (reduktimet) për periudhën e nisjes; metodën e amortizimit për numrin e viteve dhe, në rrethana të përshtatshme, metodën e amortizimit për njësi prodhimi.
ADVANCE RULING – VENDIM PARAPRAK
[Binding ruling – Vendim detyrues]
Procedurë që përdoret në shumë vende sipas së cilës tatimpaguesi duhet të marrë konfirmim zyrtar nga organet tatimore para hyrjes në transaksione specifike me pasoja tatimore. Në disa vende një vendim paraprak ka fuqi detyruese mbi organin tatimor nëqoftëse tatimpaguesi vepron në përputhje me vendimin. Në vende të tjera këto vendime nuk mund të merren për raste hipotetike, ndërsa në vende të tjera organet tatimore duhet të botojnë lehtësitë tatimore për të udhëzuar tatimpaguesit. Disa lloje vendimesh, veçanërisht ato që kërkojnë konfirmimin që një transaksion nuk do të mbulohet nga një rregull kundër-shmangieje, quhen në disa vende (p.sh. MB) edhe miratime paraprake.
AGRICULTURE, TAXATION OF – TATIM BUJQËSOR
Tatimi direkt bujqësor mund të ndahet në tatim mbi të ardhurat nga produktet bujqësore dhe në tatim mbi tokën. Tatimi mbi të ardhurat nga produktet bujqësore është një metodë “moderne” e tatimit të zonave rurale, ndërsa tatimet mbi tokën njihen që në kohët e lashta (megjithëse ato përdoren edhe sot e kësaj dite në një sërë vendesh) ku sundimtari merrte një pjesë të produktit nga toka bujqësore. Tatimet mbi tokën përgjithësisht janë vendosur mbi produktin e tokës së kultivuar (paguar me para në dorë ose në natyrë) ose mbi tokën vetë, në varësi nga madhësia, pjelloria ose vlera.
Në varësi nga fakti nëse një vend përdor sistemin tatimor tabelar, të ardhurat nga bujqësia mund të përfshihen në të ardhurat e tatueshme të grupuara, ose mund të jenë subjekt i një tatimi më vete mbi të ardhurat neto nga bujqësia që duhen përcaktuar mundësisht mbi bazën e llogarive të tatimpaguesit.
Në mungesë të llogarive të duhura, ose në rast të të dhënave kontabël me mangësi, përdoren metoda të ndryshme për tatimin e të ardhurave nga bujqësia. Sipas disa sistemeve, organet tatimore mund të vlerësojnë detyrimet tatimore mbi të ardhurat neto faktike sa më përafërsisht që të jetë e mundur mbi bazën e “metodës së gjykimit të tyre më të mirë”.
ALLOCATION (OF BUSINESS PROFITS) – ALOKIM (I FITIMEVE TË BIZNESIT)
[Apportionment of profits – Shpërndarje e fitimeve; Attribution of profits – Atribuim i fitimeve)
E drejta e një vendi për të tatuar fitimet ose të ardhurat nga biznesi të një biznesi jorezident përgjithësisht kufizohet në marrëveshje tatimore (dhe shpesh sipas legjislacionit vendas) për situata kur jorezidentët kryejnë biznes në shtetin e burimit të të ardhurave nëpërmjet një selie të përhershme. Shuma e këtyre fitimeve, që mund të tatohen në shtetin e burimit të të ardhurave, përgjithësisht kufizohet në marrëveshjet tatimore në shumën që do të ishte e pritshme sikur selia e përhershme të ishte një seli e ndryshme dhe e veçantë që vepron e pavarur në të njëjtat rrethana, d.m.th. që është e palidhur me shoqërinë për të cilën vepron si seli e përhershme. Ky parim quhet edhe “metodë direkte”, “metodë kontabël e veçantë”, ose “ teori e ndërmarrjes më vete”.
Marrëveshjet (dhe legjislacioni vendas i disa vendeve) shpesh parashikojnë një metodë alternative sipas së cilës fitimet që i alokohen selisë së përhershme përcaktohen si një pjesë e fitimeve në shkallë botërore të shoqërisë që i korrespondon kontributit të selisë së përhershme në krijimin e këtyre fitimeve dhe llogaritet sipas faktorëve të tillë si të ardhurat bruto relative, aktivet dhe pagat. Kjo metodë, që quhet edhe “metodë indirekte”, “shpërndarje pjesore”, ose “shpërndarje me formulë”, zbatohet më rrallë, por mund të ndeshet në disa lloje industrish si ato të sigurimit ose transportit.
Zgjedhja e termit “atribuim” ose “alokim” në këtë kontekst varet nga fakti se cila nga metodat e mësipërme ndiqet, ku termi “atribuim” është më i përshtatshëm për metodën direkte dhe termi “alokim” më i përshtatshëm për metodën indirekte. Megjithatë, në praktikë termat janë të këmbyeshme. Në atribuimin e fitimeve një selie të përhershme është konstatuar një dallim tjetër (OECD 2001) ndërmjet vendeve të ndryshme: në disa vende fitimet e atribueshme nuk mund të tejkalojnë fitimet e realizuara nga e gjithë ndërmarrja e biznesit përkatës (metoda e “aktivitetit të biznesit përkatës”), ndërsa në vende të tjera fitimet llogariten në mënyrë të pavarur sikur çdo seli e përhershme të ishte një “subjekt funksionalisht më vete”. Metoda e parë është e ngjashme me shpërndarjen me formulë ndërsa metoda e dytë mund të barazohet me metodën direkte.
Bibliografi: Neni 7 i Modelit të OECD-së; M.B. Carroll, “Metodat e shpërndarjes së të ardhurave të tatueshme”, Tatimi i Ndërmarrjeve të Huaja dhe Vendase (Vol. VI), Lidhja e Kombeve, 1933; I. Burgers, “Tatimi dhe mbikëqyrja e degëve të bankave ndërkombëtare”, IBFD, 1991; Kreditimi i të ardhurave në selitë e përhershme”, Çështje të Tatimit Ndërkombëtar Nr. 5, OECD, 1994; Parimet për përcaktimin e të ardhurave dhe kapitalit të selive të përhershme dhe zbatimet e këtyre parimeve për bankat, shoqëritë e sigurimit dhe institucionet e tjera financiare”, IFA Cahiers de droit fiscal international, Vol. 81a, Kluwer, 1996; Projekt diskutim rreth kreditimit të fitimeve në selitë e përhershme”, OECD, 2001-2004.
AMORTIZATION – AMORTIZIM I AKTIVEVE TË PATRUPËZUARA
Megjithëse ky term ka tendencë të përdoret në mënyrë të këmbyeshme me (depreciation) amortizimin e aktiveve të trupëzuara, disa vende (p.sh. Kanada, SHBA), bëjnë një dallim rigoroz në kontekstin tatimor, ku termi amortization i referohet amortizimit të aktiveve të patrupëzuara (përfshi instrumentet financiare) sipas të cilit kosto shlyhet gjatë jetës së tij, normalisht në bazë lineare. Përdoret edhe në kontekst jo-tatimor për t’iu referuar pakësimit periodik të borxheve, si për shembull nëpërmjet pagesave të kësteve të hipotekës.
ANTI-AVOIDANCE – KUNDËR-SHMANGIE
[Anti-abuse – Kundër-abuzim]
Term i përdorur në kontekstin e masave që synojnë luftën kundër shmangies së tatimeve. Masa të tilla mund të jenë të zbatueshme, p.sh. në formën e një rregulli të përgjithshëm të kundër-shmangies, ose të përqëndrohen në transaksione ose situata specifike, p.sh. në taksën e daljes mbi emigracionin, ose në kontekstin e tatimit mbi vlerën e shtuar. Ato mund të bazohen në parime të pashkruara ligjore, legjislacion, ose marrëveshje tatimore.
ANTI-EVASION – KUNDËR-EVAZION
Term i përdorur në kontekstin e masave që synojnë luftën kundër evazionit tatimor. Masat kundër-evazion mund të zbatohen në mënyra të ndryshme dhe në faza të ndryshme të procesit të tatimit, si në mekanizmin e llogaritjes së tatimit (p.sh. në llogaritjen ose parashikimet e të ardhurave), në fazën e raportimit (p.sh. në kërkesat e përgjithshme të raportimit të mbështetura me dënime ose në kompetencat për mbledhje informacioni), në fazën e mbledhjes së tatimeve (p.sh. në mbajtjen e tatimeve në burim), në mekanizmat e vlerësimit (p.sh. në barrën e provës), etj.
ARM’S LENGTH RANGE – KUFIJ TË VLERËS SË TREGUT
Shprehje e përdorur në kontekstin e transferimit të çmimit dhe e përkufizuar nga OECD-ja si një “sërë të dhënash që janë të pranueshme për të përcaktuar nëse kushtet e një transaksioni të kontrolluar janë në vlerën e tregut dhe që burojnë ose nga zbatimi i së njëjtës metodë të transferimit të çmimit për të shumëfishuar të dhëna të krahasueshme ose nga zbatimi i metodave të ndryshme të transferimit të çmimit”. Në përgjithësi, për t’u përfshirë në kufijtë e vlerës së tregut, transaksionet e krahasueshme duhet të kenë një nivel të ngjashëm krahasueshmërie dhe vërtetësie, dhe duhet të identifikohen dhe saktësohen gjithë ndryshimet kryesore ndërmjet transaksioneve të kontrolluara dhe transaksioneve të pakontrolluara. Nëqoftëse transferimi i çmimit i përdorur nga tatimpaguesi është brenda kufijve të vlerës së tregut, organet tatimore zakonisht nuk bëjnë saktësim të transferimit të çmimit.
ASSESSMENT – VLERËSIM
Term që përshkruan aktin e llogaritjes së tatimit për t’u paguar, si edhe dokumentin ose regjistrimin që përmban detajet e llogaritjes dhe tatimin. Vlerësimi ndonjëherë ka të bëjë me parashikimin e tatimit të bërë në mungesë të deklaratës tatimore ose deklarimit të tatimpaguesit.
ASSOCIATED ENTERPRISES – SUBJEKTE TË LIDHURA
[Related parties – Palë të lidhura]
Përdoret përgjithësisht në kontekstin e dispozitave të transferimit të çmimit në një marrëveshje tatimore për t’iu referuar subjekteve nën menaxhim, kontroll ose pronësi të përbashkët. Dispozitat përkatëse të marrëveshjeve i konsiderojnë subjektet si të lidhura kur një subjekt merr pjesë drejtpërsëdrejti ose tërthorazi në menaxhimin, kontrollin ose kapitalin e subjektit tjetër ose kur të njëjtët persona marrin pjesë drejtpërsëdrejti ose tërthorazi në menaxhimin, kontrollin ose kapitalin e të dy subjekteve. Sipas këtyre dispozitave një shtet palë në marrëveshje lejohet të saktësojë fitimet për të pasqyruar një rezultat të vlerës së tregut.
AVOIDANCE – SHMANGIE
Për qëllime tatimore, shmangia është një term i përdorur për të përshkruar sjelljen e tatimpaguesit që synon në pakësimin e detyrimeve tatimore por pa kryer evazion tatimor. Megjithëse shprehja mund të përdoret për të treguar mënyra të “pranueshme” të sjelljes, të tilla si planifikimi tatimor, ose edhe heqja dorë prej konsumit, më shpesh ajo përdoret në kuptim negativ për të treguar një qëndrim që konsiderohet “i papranueshëm”, ose “i pandershëm” (por jo domosdoshmërisht “i paligjshëm”). Shmangia tatimore formalisht shpesh është brenda ligjit por është kundër frymës së ligjit. Ajo përgjithësisht përmban elementë artificialiteti, p.sh. të formës ligjore të zbatuar, por që mund të konsiderohet si kundër frymës së ligjit. Megjithatë, natyra e saj mund të ndryshojë nga njëri vendi në tjetrin, në varësi të qëndrimit të qeverisë, gjykatave dhe opinionit publik. Disa juridiksione nuk e pranojnë konceptin e shmangies bazuar në faktin që sjellja ose është ligjshme ose, nëqoftëse është e paligjshme, përbën evazion. Shembuj të shmangies së tatimit përfshijnë vendosjen e pasurive në juridiksione jashtë vendit, konvertimin e të ardhurave në fitime të patatueshme ose me tatime më të ulta, shpërndarjen e të ardhurave tek tatimpagues të tjerë me shkallë tatimore margjinale më të ulta, ndarjen e veprimtarive të biznesit për të evituar regjistrimin me TVSH dhe skemat e dhënies dhe ridhënies me qira për të përfituar zbritjet e hershme të tatimit të kreditueshëm.
Bibliografi: “Tatimi i dyfishtë dhe evazioni fiskal”, Lidhja e Kombeve, 1925; “Shmangia Ndërkombëtare e Tatimeve”, Instituti i Studimeve Fiskale të Roterdamit, Kluwer, 1978,
“Evazioni dhe shmangia tatimore”. Një raport nga Komiteti i OECD-së për Çështje Fiskale” 1980; “Shmangia dhe evazioni tatimor ndërkombëtar”, Botim i Burosë Ndërkombëtare të Dokumentacionit Fiskal, 1981; “Shmangia tatimore/Evazioni tatimor”, IFA Cahiers de droit fiscal international, Vol. 68a, Kluwer, 1983; “Shmangia dhe evazioni tatimor ndërkombëtar. Katër studime të lidhura”, OECD, 1987.
BENEFICIAL OWNER – PRONAR PËRFITUES
Termi pronar përfitues përdoret në legjislacionin vendas të një numri të kufizuar vendesh sistemet ligjore të të cilëve bazohen në të drejtën zakonore. Kuptimi i tij është përpunuar nga gjykatat në këto vende, por ekzistojnë dallime, si ndërmjet këtyre vendeve ashtu edhe brenda një vendi të caktuar, për kufijtë e përpiktë të përdorimit të termit. Faktorët, që gjatë viteve janë marrë në konsideratë nga gjykatat si tipare thelbësore, përfshijnë të drejtën për të gëzuar përfitime ekonomike nga pasuria në fjalë, si edhe të drejtën e kontrollit mbi tjetërsimin e asaj pasurie. Termi pronësi përfituese shpesh përdoret si i kundërt me termin pronësi ligjore, ku të drejtat e pronësisë janë të ndara, dhe termi pronësi ligjore u referohet atributeve shkresore të tilla si regjistrimi, etj. Megjithëse koncepti mund të krahasohet me koncepte të ngjashme në vendet me të drejtë civile bazuar në pronësi ekonomike, ky i fundit mund të dallohet në atë që të drejtat e lidhura janë përgjithësisht të natyrës kontraktuale, ndërsa një pronar përfitues mund të ushtrojë, në përgjithësi, të drejtat e tij kundrejt palëve të treta. Pronësia përfituese përdoret shpesh në lidhje me termin pronësi me titull pjesëmarrjeje. Ndërsa të dy shprehjet duket se kanë kuptim të ngjashëm, nuk është e qartë nëse ato mund të përdoren në çdo rast si të këmbyeshme.
Në kontekst ndërkombëtar termi ndeshet më shpesh në marrëveshjet tatimore si një nga parakushtet për të drejtën e marrëveshjes në lidhje me, p.sh. dividendët, interesat dhe honoraret/qiratë e shfrytëzimit të nëntokës (royalties). Ka mundësi që termi të jetë futur në marrëveshjet tatimore si një masë kundër-shmangieje. Megjithatë, ka një mungesë konsensusi lidhur me faktin nëse termi ka një kuptim autonom “të ligjit tatimor ndërkombëtar” ose nëse kuptimi i tij buron vetëm nga legjislacioni vendas i vendeve të përfshira. Megjithëse një agjent ose i emëruar (kujdestar) përgjithësisht përjashtohet nga koncepti i pronësisë përfituese, disa i konsiderojnë këta vetëm si shembuj ilustrues, dhe pranojnë që koncepti ka një kuptim më të ngushtë. Për shembull, është diskutuar që një shoqëri përcjellëse nuk mund të jetë një pronar përfitues. Gjithashtu është sugjeruar që pronësia përfituese nënkupton kontroll mbi kapitalin, nga i cili buron e ardhura dhe/ose kontroll mbi transferimin e vetë të ardhurës. Një pikëpamje tjetër përqëndrohet në faktin nëse marrësi i pagesës përfiton vetë nga marrja e saj. Në një kuptim më të gjerë është sugjeruar që termi duhet të interpretohet në lidhje me funksionin e tij të përjashtimit të subjekteve të përfshira vetëm për qëllim të gëzimit të përfitimeve të marrëveshjes të cilat në rrethana të tjera nuk do të ishte e mundur të gëzoheshin.
Bibliografi: Charl P. du Toit, “Pronësia përfituese e royalties në marrëveshjet tatimore dypalëshe”, IBFD, 1999; J. Oliver, e të tjerë, “Pronësia përfituese”, Buletin për Dokumentacionin Fiskal Ndërkombëtar, 10 korrik 2000.
BENEFITS IN KIND – PËRFITIME NË NATYRË
Term i përdorur për të ardhurat, kryesisht nga punësimi, të ndryshme nga ato në para, si pjesë e kompensimit për shërbimet e kryera (p.sh. ushqim, banim, përdorim i automjetit të shoqërisë, gratis ose të subvencionuar, etj. që janë pjesë e të ardhurës nga punësimi). Vlera e përfitimeve në natyrë të marra nga një punonjës zakonisht duhet të përfshihet në të ardhurën e tatueshme të punonjësit, megjithëse në disa sisteme është punëdhënësi që është i detyruar për tatimin. Vlerësimi i përfitimeve në natyrë ndryshon nga vendi në vend, p.sh. si kosto për punëdhënësin, vlera e tregut, llogaritja me kuotë fikse.
BEST JUDGEMENT ASSESSMENT – VLERËSIM MBI GJYKIMIN MË TË MIRË
Në disa vende, në raste të caktuara, organet tatimore autorizohen të bëjnë vlerësime sipas gjykimit të tyre më të mirë. Vlerësimet sipas gjykimit më të mirë normalisht bëhen kur:
– tatimpaguesi nuk bën deklaratën e kërkuar të të ardhurave të tij;
– tatimpaguesi nuk përgatit llogaritë, dokumentet, informacionin ose deklaratat e kërkuara të aktiveve dhe pasiveve;
– tatimpaguesi, pasi ka bërë një deklaratë tatimore, nuk vë në dispozicion të zyrës së organeve tatimore dokumentet ose provat e kërkuara;
– tatimpaguesi nuk vepron në përputhje me udhëzimin e nxjerrë nga organet tatimore lidhur me kontrollin e të dhënave të tij kontabël.
Rregulla të ngjashme zbatohen edhe për vlerësimet e TVSH-së.
BILATERAL ADVANCE PRICING ARRANGEMENT – SKEMË DYPALËSHE E ÇMIMIT PARAPRAK
[BAPA – SDÇP]
Rregullim i çmimit paraprak për të cilin dy organe tatimore marrin pjesë në miratimin e metodës së transferimit të çmimit ndërkufitar.
BRANCH – DEGË
Term popullor i përdorur për t’iu referuar një selie të përhershme. Një nga shembujt e dhënë në Modelin e OECD-së për selinë e përhershme. Sipas Komentarit të Modelit të OECD-së këto shembuj përbëjnë një seli të përhershme, vetëm nëqoftëse ato plotësojnë kërkesa të tjera të dispozitës. Megjithatë kjo pikëpamje nuk pranohet nga të gjitha vendet. Termi përdoret në ligjet vendase të disa vendeve, për t’iu referuar një koncepti të ngjashëm (p.sh. më parë, MB). Termi nuk ka një kuptim të përcaktuar qartësisht por mund të kuptohet gjerësisht si një sektor, zyrë, ose njësi tjetër biznesi e vendosur në një vend të ndryshëm nga ai i zyrës kryesore ose selisë.
BRANCH TAX – TATIM MBI DEGËN
[Branch profits tax (e.g. US) – Tatim mbi fitimet e degës (p.sh. SHBA)]
Shumë vende vendosin mbi fitimet e degëve të shoqërive të huaja një “tatim dege” përmbi tatimin normal të të ardhurave të shoqërisë mbi fitimet e degës. Tatimi i degës është i barasvlefshëm me tatimin mbi dividendët që do të ishte i pagueshëm nëqoftëse dega do të ishte një filial i shoqërisë së huaj dhe do i shpërndante fitimet e saj si dividendë. Shumica e vendeve që vendosin një tatim dege e vendosin atë mbi fitimet totale të degës, pas zbritjes së tatimit mbi të ardhurat e shoqërisë, edhe kur nuk ka derdhje faktike, d.m.th. pavarësisht nëse fitimet i janë paguar faktikisht zyrës kryesore. Vende të tjera tatojnë vetëm pjesën që nuk investohet në aktivet e qëndrueshme të biznesit që i përkasin degës. Disa vende tatojnë vetëm pjesën e paguar të fitimeve. Në këtë rast përdoret termi “tatim mbi pagesat”.
Megjithëse Modeli i OECD-së përjashton vendosjen e një tatimi dege, disa marrëveshje tatimore, të nënshkruara ndërmjet vendeve që vendosin një tatim të tillë, e kanë ruajtur këtë të drejtë, por përqindja është zvogëluar, në përgjithësi, në të njëjtën mënyrë si përqindja e tatimit të mbajtur në burim për dividendët.
Shih gjithashtu: Branch-level interest tax – Tatim mbi interesin në nivel dege; Dividend equivalent amount – Shumë ekuivalente dividendi
BURDEN OF PROOF – BARRË E PROVËS
Është një parim gjerësisht i zbatuar që barra ose detyrimi për të provuar bie mbi tatimpaguesin me qëllim deklarimin e të ardhurave tatimore ose transaksionet e tij. Zakonisht nuk është e mundur që një sistem tatimor të funksionojë me sukses nëqoftëse përgjegjësia për llogaritjen e detyrimit tatimor nuk bie mbi tatimpaguesin përderisa alternativa, e cila do të ishte llogaritja ose parashikimi i detyrimit tatimor në të gjitha rastet nga organet tatimore, do ta ngarkonte administratën me një barrë të rëndë dhe në një farë mase do të ishte arbitrare në praktikë.
BUSINESS INCOME – TË ARDHURA NGA BIZNESI
[Business profits – Fitime biznesi]
Shprehja të ardhura nga biznesi përgjithësisht përdoret për të dalluar të ardhurat e krijuara nga veprimtaritë e biznesit nga lloje të tjera të ardhurash, të tilla si të ardhurat nga punësimi. Të ardhurat nga biznesi zakonisht llogariten në bazë të një sërë rregullash të veçanta, p.sh. ato të zbritjeve, amortizimeve të lejueshme, etj. E ardhura nga biznesi mund ose mund të mos përfshijë fitimet nga kapitali, në varësi të kontekstit në fjalë. Në një kontekst marrëveshjeje tatimore, koncepti përgjithësisht i referohet fitimeve nga biznesi ose, në marrëveshje më të hershme (si edhe në sistemet tatimore vendase të disa vendeve), fitimet nga prodhimi dhe ato tregtare. Sipas Komentarit të Nenit 7 të Modelit të OECD-së, fitimi nga biznesi ka një kuptim të gjerë dhe përfshin gjithë të ardhurat e rrjedhura nga drejtimi i një ndërmarrjeje. Megjithëse zakonisht ndeshet në vende me sistem tatimor mbi të ardhurat globale koncepti është i lidhur më ngushtësisht me konceptin e sistemit tatimor tabelar.
BUSINESS PROPERTY – PASURI BIZNESI
Termi pasuri biznesi përgjithësisht përdoret për të dalluar aktivet që përdoren në kryerjen e veprimtarive të biznesit (p.sh. inventari dhe aktivet e qëndrueshme) nga ato të përdorura për qëllime të tjera, p.sh. investim privat. Në disa vende aktivet mund të konsiderohen të mbajtura si pasuri biznesi jo nga veprimtaria për të cilën ato mbahen por mbi bazën që ato janë mbajtur p.sh. nga një shoqëri. Në disa vende, vlera e pasurisë së biznesit në pronësi të shoqërive është subjekt tatimi. Përveç kësaj, në disa vende pa një tatim të përgjithshëm të shtimeve të kapitalit, shtimet nga shitja e aktiveve të qëndrueshme të biznesit mund të jenë subjekt i tatimit mbi fitimin.
BUSINESS PURPOSE TEST – TEST I QËLLIMIT TË BIZNESIT
Është kriter që përdoret për të përcaktuar nëse një transaksion preket nga një masë kundër-shmangieje. Kriteri shpesh shoqërohet me një motiv shmangieje të tatimit, por pesha relative akorduar secilit ndryshon ndjeshëm nga vendi në vend. Për shembull, prania e një qëllimi të vetëm biznesi në disa raste mund të jetë e mjaftueshme për të përjashtuar një motiv shmangieje tatimore; në raste të tjera mund të jetë e nevojshme që, për të evituar zbatimin e një mase të caktuar kundër-shmangieje, qëllimi kryesor ose i vetëm duhet të jetë qëllim biznesi.
CAPITAL TAXES – TATIME MBI KAPITALIN
Term kolektiv i përdorur përgjithësisht në një kontekst qeveritar ose ndërkomunitar qeveritar për t’iu referuar grupimeve specifike të tatimeve që aplikohen në lidhje me kapitalin. Termi përdoret për qëllime statistikore nga Kombet e Bashkuara për t’iu referuar “detyrimeve kapitale (d.m.th. ato tatime të vendosura në intervale të parregullta dhe shumë të rralla mbi vlerat e aktiveve ose pasurinë neto në pronësi të njësive institucionale) dhe tatimeve mbi transferimet e kapitalit (d.m.th. tatimet mbi vlerat e aktiveve të transferuara ndërmjet njësive institucionale si rezultat i trashëgimisë, dhurimeve me gjallje (inter vivos) (d.m.th. kur donatori është gjallë) ose transferime të tjera”. Në disa vende (p.sh. MB) termi gjithashtu përfshin tatimet mbi shtimet e kapitalit.
CAROUSEL FRAUD – MASHTRIM KARUSEL
Mashtrimi karusel është term që përshkruan disa lloje të mashtrimit me tatime indirekte dhe karakterizohet nga transaksione të shumëfishta në mallra lehtësisht të tregtueshme ndërmjet tregtarëve që bashkëpunojnë me njëri tjetrin në juridiksione të ndryshme. Mashtrimi normalisht përfshin furnizimin e mallrave pa TVSH, p.sh. për arsye eksporti, tek një palë homologe në një juridiksion tjetër, i cili në fakt i furnizon mallrat mbrapsht tek pala e parë me çmim me TVSH, dhe pala homologe nuk e llogarit TVSH-në e marrë. Mashtrimi mund të kombinojë elementë të mashtrimit me mungesë tregtari (ku pala homologe zhduket pa paguar TVSH-në) dhe mashtrim me dokumentacion eksporti (ku mallrat që në dukje janë të destinuara për eksport hidhen në tregun e brendshëm pa paguar tatime). Një sërë shoqërish shpesh futen në zinxhirin e furnizimit për ta bërë diktimin e mashtrimit më të vështirë. Praktika të ngjashme mund të përfshijnë edhe detyrimet doganore.
CASH BASIS – PARIM I ARKËTIMEVE DHE PAGESAVE
(1) [Cash method – Metodë e arkëtimeve dhe pagesave; Cash receipts and disbursements method (US) – Metodë e arkëtimeve dhe pagesave (SHBA)]
Metodë kontabël, ku për llogaritjen e të ardhurës së tatueshme njihen vetëm arkëtimet dhe pagesat e kryera. Kjo metodë përgjithësisht përdoret për biznesin e vogël.
(2) Termi gjithashtu përdoret në kontekstin e TVSH-së ku TVSH-ja e zbatueshme llogaritet në bazë të arkëtimeve dhe pagesave dhe jo në bazë të shumave të faturuara.
CASH-FLOW TAX – TATIM MBI FLUKSIN E PARASË
Një model tatimi mbi të ardhurat, sipas të cilit nuk bëhet dallim ndërmjet shpenzimeve kapitale dhe shpenzimeve për mjete qarkullimi, si fuqi punëtore dhe lëndë të para. Baza e tatueshme është në fakt diferenca ndërmjet të ardhurave nga shitjet e mallrave dhe shërbimeve dhe kostos së prodhimit të tyre. Fluksi i parave është propozuar si bazë për modelin e një forme alternative të TVSH-së, veçanërisht në kontekstin e shërbimeve financiare ku pagesa për vlerën e shtuar merr formën e një pagese konstruktive, përfshirë në marzhin e një transaksioni të veçantë. Sipas një varianti të kësaj metode, metoda e shkurtuar e fluksit të parasë, llogaritjet e fluksit të parasë kryhen nga ndërmjetës financiarë.
Bibliografi: S. Poddar dhe M. English, “Tatimi i shërbimeve financiare me një tatim të vlerës së shtuar: duke zbatuar metodën e fluksit të parasë”, 50 Revistë Kombëtare e Tatimeve 89 (1997).
CENTRAL MANAGEMENT AND CONTROL – MENAXHIM DHE KONTROLL QENDROR
[Centre of management – Qendër menaxhimi]
Për të përcaktuar rezidencën e një shoqërie, vendndodhja e menaxhimit dhe kontrollit qendror në disa vende (veçanërisht në vendet me sisteme tatimore bazuar në të drejtën zakonore) përdoret në mënyrë të ngjashme me vendin e menaxhimit ose vendin e menaxhimit efektiv. Ndërsa i ngjashëm me konceptet e mësipërme, koncepti i menaxhimit dhe kontrollit qendror nuk është domosdoshmërisht identik me to. Megjithëse vendndodhja e menaxhimit dhe kontrollit qendror është kryesisht një test bazuar në fakte, ai normalisht kushtëzohet me vendin ku drejtorët e shoqërisë ushtrojnë kompetencat dhe autoritetin e tyre (përgjithësisht ku zhvillohen mbledhjet). Vendi ku gjendet qendra e nivelit më të lartë të kontrollit të biznesit të një shoqërie duhet dalluar nga vendi ku gjenden operacionet kryesore të biznesit, megjithëse këto dy vende mund edhe të përkojnë (MB).
CHARITIES, DONATIONS TO – DHURIME PËR BAMIRËSI
Në shumë vende, u jepet një formë lehtësie tatimore mbi të ardhurat tatimpaguesve që u dhurojnë organizatave bamirëse ku në përgjithësi përfshihen subjekte fetare, vullnetare, arsimore, shkencore, ndihme sociale ose publike dhe që janë regjistruar si të tilla sipas legjislacionit të vendeve përkatëse. Për qëllime të tatimit mbi të ardhurat, këto dhurime normalisht janë të zbritshme në llogaritjen e të ardhurave të tatueshme, zakonisht deri në një shumë maksimale të caktuar dhe/ose në masën që dhurimet tejkalojnë një shumë të caktuar. Në disa vende bëhet dallim ndërmjet zbritshmërisë së këtyre dhurimeve si shpenzime biznesi e të tjera.
Për qëllime të tatimit mbi trashëgiminë dhe dhurimet, dhurimet për bamirësitë normalisht përjashtohen pjesërisht ose plotësisht nga tatimi ose tatohen me shkallë të zvogëluar, me kusht që dhurimi të përdoret vetëm për kryerjen e objektivave publike të përfituesit të dhurimit.
Në disa vende, dhurimet për institucionet e kualifikuar të bamirësisë gëzojnë të drejtën për kreditim tatimi, në vend të zbritjes së tatimit. Dhurimet për bamirësitë zakonisht nuk janë subjekt i TVSH-së.
CODE OF CONDUCT – KOD I ETIKËS
Kodi i Etikës në Tatimin e Biznesit është një iniciativë e Bashkimit Europian që synon realizimin e veprimit të koordinuar vullnetar për të zbutur konkurrencën tatimore ndërmjet Shteteve Anëtare që çon në masa me efekte të dëmshme, d.m.th. masa që ndikojnë në mënyrë të ndjeshme vendndodhjen e veprimtarisë së biznesit në Bashkimin Europian. Këto “masa tatimore të dëmshme” karakterizohen si masa që shkaktojnë një nivel shumë më pak efektiv tatimi se nivelet përgjithësisht të zbatuara në Shtetet Anëtare në fjalë nën dritën e një sërë kriteresh shtesë, të tilla si nëse avantazhet janë izoluar nga tregu i brendshëm, nëse avantazhet janë dhënë pa kushtin e ushtrimit të ndonjë veprimtarie ekonomike reale dhe pa prani ekonomike të konsiderueshme, dhe në mungesë transparence.
COLLECTION OF TAX – MBLEDHJE E TATIMEVE
Në përgjithësi, mbledhja e tatimit mund të realizohet nëpërmjet një ose disa prej metodave të mëposhtëme:
– mbajtjes së tatimit nga paguesi i të ardhurës dhe derdhjes së shumës së mbajtur në buxhetin e shtetit;
– pagesës së përkohshme (parapagesës) nga një tatimpagues gjatë një viti tatimor për të cilin tatimi mbi të ardhurat duhet paguar në buxhetin e shtetit, tatim i llogaritur në bazë të të ardhurës vjetore ose tatimit të paguar në vitin paraardhës;
– pagesës së vetëvlerësuar nga tatimpaguesi në afatin e pagesës, pas ose me dorëzimin e një deklarate tatimore; sipas sistemit të vetëvlerësimit, tatimpaguesi llogarit tatimin që duhet paguar pas zbritjes së pjesës së tatimit të mbajtur në burim dhe parapagesave ose, në rastin e TVSH-së, TVSH-së së kreditueshme të paguar, dhe e derdh shumën e tatimit për t’u paguar në buxhetin e shtetit;
– pagesave shtesë të tatimit bazuar në një vlerësim tatimor përfundimtar nga organet tatimore pas hetimit ose shqyrtimit të deklaratës tatimore të dorëzuar;
– pagesës së tatimit pas njoftimit të vlerësimit.
COMMON CONSOLIDATED TAX BASE – BAZË TATIMORE E KONSOLIDUAR E PËRBASHKËT
[Common consolidated corporate tax base – Bazë tatimore e konsoliduar e përbashkët shoqërie; Common tax base – Bazë tatimore e përbashkët; Consolidated tax base – Bazë tatimore e konsoliduar]
Një sistem i propozuar për tatimin e grupeve të shoqërive me veprimtari në disa Shtete Anëtare të BE-së sipas të cilit të gjithë ose, mundësisht, fillimisht, një grup i Shteteve Anëtare miratojnë një paketë rregullash të përbashkëta (të ndara nga ato që zbatohen në nivel kombëtar) për krijimin e bazës së tatueshme të grupeve që dëshërojnë të zbatojnë sistemin. E përbashkëta e këtij sistemi me propozime të ngjashme është që duhen caktuar rregulla më vete për transferimin e bazës tatimore ndërmjet Shteteve Anëtare. Tatimi administrohet nga Shteti Anëtar ku grupi ka selinë, por përqindja e tatimit caktohet nga secili Shtet Anëtar për pjesën e fitimit të transferueshëm. Si edhe propozime të ngjashme, ky sistem çon në zgjidhjen e një sërë problemesh lidhur me transferimin e çmimit dhe lehtësinë e kompensimit të humbjeve ndërkufitare.
Bibliografi: “Drejt një Tregu të Brendshëm pa pengesa tatimore”, COM (2001) 582; “Një bazë tatimore shoqërie e konsoliduar e përbashkët për BE-në”, Komisioni për këshillin jozyrtar Ecofin, 7 korrik 2004.
COMPARABILITY ANALYSIS – ANALIZË KRAHASUESHMËRIE
Një analizë e bërë në rastet e transferimit të çmimit për të krahasuar një transaksion të kontrolluar nga një transaksion i pakontrolluar. Në përgjithësi, që një transaksion i pakontrolluar të jetë i krahasueshëm, duhet të bëhet e mundur të identifikohen dhe saktësohen të gjitha ndryshimet thelbësore, ndërmjet transaksionit të pakontrolluar dhe transaksionit të kontrolluar. Standardet për krahasueshmëri përfshijnë krahasueshmërinë lidhur me llojin e pasurisë ose të shërbimeve të transferuar, funksionet e kryera nga palët, burimet e përdorura, termat kontraktuale, rreziqet kryesore që merren parasysh nga palët, dhe kushtet ekonomike kryesore që do të ndikonin çmimin që do të kërkohej për t’u paguar ose fitimet që do të nxirreshin.
COMPARABLE PROFIT SPLIT METHOD (e.g. US) – METODË E NDARJES SË FITIMIT TË KRAHASUESHËM (p.sh. SHBA)
Njëra nga dy metodat e ndarjes së fitimit që përdoret në Rregulloret e Transferimit të Çmimit të SHBA-së. Metoda e ndarjes së fitimit të krahasueshëm ndan fitimet ose humbjet operative të kombinuara të një grupi tatimpaguesish të kontrolluar në të njëjtin raport me të cilin ndahen fitimet ose humbjet nga tatimpaguesit e pakontrolluar që përfshihen në transaksione ose veprimtari biznesi të ngjashme.
COMPARABLE UNCONTROLLED FINANCIAL TRANSACTION METHOD (e.g. US) – METODË TRANSAKSIONI FINANCIAR TË PAKONTROLLUAR TË KRAHASUESHËM (p.sh. SHBA)
[CUFT – TFPK]
Një metodë e përdorur në Rregulloret e Transferimit të Çmimit të SHBA-së për transferim të ardhurash, zbritjesh, fitimesh dhe humbjesh në operacione të përgjithshme lidhur me letra me vlerë. Metoda vlerëson nëse shuma që duhet paguar është me vlerën e tregut me referencë në shumën që duhet paguar në transaksione financiare të pakontrolluara të krahasueshme.
COMPARABLE UNCONTROLLED PRICE METHOD – METODË ÇMIMI TË PAKONTROLLUAR TË KRAHASUESHËM
[CUP – ÇPK]
Metoda e çmimit të pakontrolluar të krahasueshëm përcaktohet (OECD) si një “metodë e transferimit të çmimit që krahason çmimin për pasuri ose shërbime të transferuar në një transaksion të kontrolluar me çmimin që duhet paguar për pasuri, ose shërbime të transferuar në një transaksion të pakontrolluar të krahasueshëm në rrethana të krahasueshme”.
Bibliografi: Direktiva të OECD-së për Transferimin e Çmimit.
COMPARABLE UNCONTROLLED TRANSACTION METHOD (e.g. US) – METODË TRANSAKSIONI TË PAKONTROLLUAR TË KRAHASUESHËM (p.sh. SHBA)
[CUT – TPK]
Metoda e transaksionit të pakontrolluar të krahasueshëm është një metodë e transferimit të çmimit që përcakton çmimin në vlerën e tregut për transferimin e pasurisë së patrupëzuar me referencë në shumën e paguar në transaksione të pakontrolluara të krahasueshme. Transaksionet e pakontrolluara duhet të kenë të bëjnë me një transferim të së njëjtës pasuri të patrupëzuar ose të krahasueshme me të në rrethana të njëjta ose të përafërta. Kjo gjë mund të ndodhë vetëm nëqoftëse ka ndryshme të vogla ndërmjet transaksioneve të kontrolluara dhe të pakontrolluara dhe efekti i këtyre ndryshimeve mbi shumën e paguar mund të saktësohen.
COMPENSATING ADJUSTMENT – SAKTËSIM KOMPENSUES
Në kontekstin e transferimit të çmimit një saktësim kompensues përshkruan një procedurë që mund të eliminojë nevojën për një saktësim fillestar të transferimit të çmimit duke e lejuar tatimpaguesin të raportojë një çmim të transferuar për qëllime tatimore që është çmim me vlerën e tregut për një transaksion të kontrolluar, edhe pse ky çmim ndryshon nga shuma aktualisht e paguar ndërmjet subjekteve të lidhura. Ky saktësim bëhet para dorëzimit të deklaratës tatimore. Saktësimet kompensuese nuk njihen në shumë vende, me arsyetimin që deklarata tatimore duhet të pasqyrojë transaksione aktuale. Kur vendi i një subjekti të lidhur lejon një saktësim kompensues ndërsa vendi tjetër nuk e lejon atë, mund të krijohen rrethana të vendosjes së tatimit të dyfishtë.
COMPREHENSIVE BUSINESS INCOME TAX (e.g. US) – TATIM GJITHËPËRFSHIRËS MBI TË ARDHURAT E BIZNESIT (p.sh. US)
Një sistem prototip i integrimit të tatimeve të shoqërisë. Sipas këtij sistemi për dividendët ose interesin e paguar nga shoqëritë nuk lejohet asnjë zbritje, ndërsa dividendët dhe interesi i marrë nga aksionerët përjashtohen nga të ardhurat. Rezultati është vetëm një nivel tatimi mbi të ardhurat e kapitalit të fituara nga bizneset. Avantazhet e këtij sistemi përfshijnë barazinë në trajtimit tatimor të borxheve, pjesëmarrjeve dhe pakësimin e deformimeve tatimore ndërmjet fitimeve të mbajtura dhe atyre të shpërndara.
COMPREHENSIVE INCOME TAX SYSTEM – SISTEM GJITHËPËRFSHIRËS I TATIMIT MBI TË ARDHURAT
Një sistem tatimor gjithëpërfshirës mbi të ardhurat është sistemi në të cilin tatohet shtimi i fuqisë ekonomike blerëse dhe jo përdorimi i këtyre mundësive. Ky sistem përdor një përkufizim të gjerë të së ardhurës i cili përgjithësisht përfshin konsumin aktual dhe shtesën aktuale në pasurinë neto të tatimpaguesit. Në këtë kuptim mund të thuhet se të ardhurat japin matësin më gjithëpërfshirës të aftësisë për të paguar të tatimpaguesit. Ky sistem sugjeron që një dhurim ose trashëgimi do të ishte subjekt i tatimin të duart e përfituesit të dhurimit ose trashëgimisë. Ky sistem mund të konsiderohet që nxit drejtësinë horizontale për faktin që gjithë të ardhurat tatohen njësoj pavarësisht nga forma që marrin. Në këtë kuptim ai mund të krahasohet me një sistem tatimor tabelar.
Bibliografi: Raport i Komisionit Mbretëror të Tatimit, 1966, Printeri i Mbretëreshës, Otava, 1966.
CONDUIT COMPANY – SHOQËRI PËRCJELLËSE
[Stepping stone company – Shoqëri e shkallëzuar]
Një shoqëri përcjellëse është shoqëria që përfiton nga një marrëveshje tatimore në lidhje me të ardhurat e krijuara në një vend të huaj, përfitimet ekonomike nga të ardhurat e së cilës akumulohen për persona në një vend tjetër, të cilët nuk do ta gëzonin të drejtën e këtyre përfitimeve nga marrëveshja po t’i kishin marrë të ardhurat drejtpërsëdrejti. Kjo gjë mund të arrihet p.sh. nëpërmjet shoqërisë përcjellëse që ju huan të ardhurat këtyre personave, riinvestimit të të ardhurave për përfitimin e tyre përfundimtar, ose shpërndarjes së dividendëve (përjashtuar nga tatimi). Një hua ndërmjet personash të lidhur është një shembull tipik i përdorimit të një shoqërie përcjellëse. Një shoqëri përcjellëse përgjithësisht nuk është subjekt tatimi, ose është subjekt i tatimeve minimale sipas legjislacionit të vendit të saj, ose për shkak të të ardhurave që paguhen në formë të zbritjeve tatimore (duke lënë normalisht një “kufi” të vogël për t’u tatuar në shoqërinë përcjellëse ose “të shkallëzuar”). Shoqëritë përcjellëse luajnë kështu një rol kryesor në zgjedhjen e marrëveshjes. Marrëveshjet tatimore gjithnjë e më shpesh përmbajnë një dispozitë të kufizimit të përfitimeve e cila specifikisht synon parandalimin e shpërdorimit të tyre nga shoqëritë përcjellëse.
Bibliografi: “Konventat e Tatimit të Dyfishtë dhe Përdorimi i Shoqërive Përcjellëse, Shmangia dhe Evazioni Tatimor Ndërkombëtar – Katër Studime të Lidhura”, Çështje për Tatimin Ndërkombëtar Nr. 1, OECD, 1987.
CONTEXT – KONTEKST
Termi kontekst ka rëndësi për interpretimin e marrëveshjeve dhe ka rëndësi të veçantë për interpretimin e marrëveshjeve tatimore. Termi përdoret në nenin e përkufizimeve të shumicës së marrëveshjeve tatimore në mënyrë që të lejojë, ose më saktë të kërkojë, një interpretim që është i ndryshëm nga përkufizimi i dhënë në marrëveshje ose, në rastin e termave të papërkufizuara, të ndryshëm nga kuptimi i dhënë në ligjin vendas. Termi mund gjithashtu të luajë një rol të ngjashëm në interpretimin e disa ligjeve të brendshme të disa vendeve. Ideja e kontekstit presupozon që një term i caktuar nuk ka një kuptim të vetëm por një sërë kuptimesh të mundshme. Konteksti i një termi marrëveshjeje, në një kuptim të përgjithshëm, mund të shihet si mjedisi përkatës në të cilin përdoret termi, dhe si i tillë mund të krahasohet me një bazë relativisht të ngushtë interpretimi si kuptimi gramatikor i termit. Fushëveprimi i kontekstit, ose mjedisi që konsiderohet përkatës, mund të përshkruhet gjerësisht ose ngushtësisht. Një fushëveprimi e ngushtë, për shembull, mund të përfshijë tekstin në të cilin termi përdoret, d.m.th. që pasqyron një mënyrë interpretimi sistematik. Një fushëveprimi më e gjerë mund të përfshijë sfondin politik dhe ekonomik të marrëveshjes. Ekzistojnë udhëzime nga burime ndërkombëtare në lidhje me fushëveprimin e konceptit. Sipas Nenit 31(1) të Konventës së Vjenës në Ligjin e Traktateve një marrëveshje “do të interpretohet në mirëbesim në përputhje me kuptimin e zakonshëm që u jepet termave të marrëveshjes në kontekstin e tyre në dritën e objektit dhe qëllimit të saj”. Konteksti përkufizohet në Nenin 31(2) të Konventës së Vjenës për të përfshirë “ përveç tekstit, duke përfshirë hyrjen e tij dhe anekset: (a) çdo marrëveshje që ka të bëjë me marrëveshjen e cila është bërë ndërmjet të gjitha palëve në lidhje me përfundimin e marrëveshjes; (b) çdo instrument i cili është bërë nga një ose më shumë palë në lidhje me përfundimin e marrëveshjes dhe e pranuar nga palët e tjera si një instrument që ka të bëjë me marrëveshjen”. Megjithëse ky përkufizim mund të konsiderohet krejt i ngushtë, në praktikë, përderisa Konventa e Vjenës lejon gjithashtu mbështetje në burime të tjera (subjekt i kufizimeve të caktuara), gama e materialeve ose burimeve që mund të konsultohen për interpretimin e një marrëveshjeje, mund të jetë më e gjerë. Këto burime shtesë përfshijnë marrëveshje dhe praktika të mëvonshme, mjete shtesë interpretimi, dhe tekstin në gjuhë të tjera zyrtare. Një interpretim i bazuar në Nenin 31(2) të Konventës së Vjenës mund të quhet si i bazuar në kontekst të “brendshëm”, dhe një interpretim i bazuar në burime të tjera, si i bazuar në kontekst të “jashtëm”. Komentarët e Nenit 3 të Modelit të OECD-së shpjegojnë që konteksti “përcaktohet në veçanti nga qëllimi i Shtetit Kontraktues kur nënshkruan Konventën si edhe kuptimi i dhënë termit në fjalë në legjislacionin e Shtetit tjetër Kontraktues”. Është sugjeruar që termi kontekst ashtu si përdoret në marrëveshjet tatimore bazuar në Modelin e OECD-së duhet interpretuar bazuar si në kontekstin e “brendshëm” ashtu edhe në atë të “jashtëm”. Çështja e konsultimit të Komentarëve për Modelin e OECD-së kur interpretohet një marrëveshje tatimore dhe, nëse po, nëse ato përbëjnë pjesë të kontekstit të “brendshëm” ose të “jashtëm” është subjekt i një debati ndërkombëtar të konsiderueshëm. Megjithatë, në praktikë gjykatat kombëtare në përgjithësi po tregojnë një vullnet në rritje për marrjen në konsideratë të Komentarëve.
Bibliografi: Edwardes-Kerr, “Interpretimi i marrëveshjes tatimore” (libri i azhornuar me fletë të zëvendësueshme); J. Avery Jones, e të tjerë, “Interpretimi i marrëveshjeve tatimore me referencë të veçantë në Nenin 3(2) të Modelit të OECD-së – II”, Periodiku Tatimor Britanik, Nr. 2, 1984, 90.
CONTRACT MANUFACTURING – KONTRATË PRODHIMI ME MATERIAL TË POROSITËSIT
Term i përdorur për t’iu referuar një sërë skemash në të cilat tipari themelor është që një pjesë ose gjithë procesi i prodhimit “delegohet” nga një palë (shpesh e quajtur si “porositëse”) tek një palë tjetër. Në disa skema prodhuesi thjesht vepron si agjent, dhe porositësi ruan pronësinë mbi lëndët e para ose produktet gjysëm të gatshme. Ndonjëherë këto skema quhen “prodhim me copë” (për të pasqyruar bazën e pagesës, d.m.th. pagesën bazuar në volumin e punës (copë), por ky term përdoret edhe në vend të termit prodhim me kontratë. Në skema të tjera prodhuesi vepron zakonisht në emër të tij duke blerë lëndët e para ose produktet gjysëm të gatshme nga porositësi dhe duke ia shitur ato përsëri porositësit pas kryerjes së punës [(gjithashtu quajtur si “transaksion dydrejtimësh” (Kanada, OECD)]. Këto skema mund të përdoren brenda një grupi shumëkombësh për minimizimin e barrës së përgjithshme tatimore. Për shembull, në rastin e prodhimit me copë, si përshkruhet më sipër, porositësi vendoset zakonisht në një juridiksion me tatime të ulta, ashtu si edhe në rastin kur prodhuesi merr pronësinë, prodhuesi vendoset zakonisht në juridiksion me tatime të ulta. Këto skema shpesh implikojnë transferimin ose licensimin e pasurisë së patrupëzuar nga porositësi tek prodhuesi. Ato shpesh kanë të bëjnë me çështje të transferimit të çmimit si në lidhje me pasurinë e patrupëzuar ashtu edhe në lidhje me çmimin e skemave të prodhimit.
CONTROLLED FOREIGN COMPANY (e.g. UK) – SHOQËRI E HUAJ E KONTROLLUAR (p.sh. MB)
[CFC – SHHK; Controlled foreign affiliate (Canada) – Filial i huaj i kontrolluar (Kanada); Controlled foreign corporation (e.g. US) – Shoqëri e huaj e kontrolluar (p.sh. SHBA)]
Ky term përgjithësisht përdoret në kontekstin e rregullave të shmangies tatimore hartuar për të luftuar devijimin e të ardhurave nga tatimpaguesit rezidentë në shoqëritë që ata kontrollojnë dhe që janë zakonisht rezidente në vende me pak ose pa tatime. Sipas këtyre rregullave të ardhurat e shoqërisë së kontrolluar zakonisht ose gjykohet të jenë krijuar drejtpërsëdrejti nga aksionerët, ose gjykohet t’u jenë shpërndarë atyre si dividendë. Shpesh vetëm pjesë e të ardhurave të shoqërisë së kontrolluar trajtohet në këtë mënyrë, zakonisht të ardhurat pasive, si dividendët, interesi dhe honoraret/qiratë e shfrytëzimit të nëntokës (royalties) (“të ardhura të prekura”). Shumë nga, por jo të gjitha, regjimet e shoqërisë së huaj të kontrolluar, zbatohen vetëm për aksionerët e shoqërisë.
Shumica e regjimeve të SHHK-së ofrojnë përjashtime, p.sh. kur SHHK-ja nxjerr të ardhura aktive biznesi, kur SHHK-ja shpërndan një pjesë minimum të të ardhurave të saj (“politika e shpërndarjes së pranueshme” (MB)), ose ka të ardhura të prekura nën një nivel të caktuar (“testi de minimis”), etj.
Kur niveli i tatimit të huaj mbi SHHK-në është i lidhur me zbatimin e rregullave, mund të zbatohen teste të ndryshme, si p.sh. një krahasim me tatimin ekuivalent që do të paguhej mbi të ardhurën sipas ligjeve tatimore të aksionerëve. Për këto qëllime, shumë vende përgatisin lista të vendeve që konsiderohen jashtë fushëveprimit të rregullave vendase në të gjitha rastet (“listë e bardhë”), ose vetëm në disa raste (“listë gri”), ose ata të cilët konsiderohen se bien gjithnjë brenda fushëveprimit të rregullave (listë e zezë”).
Bibliografi: “Tatimi i shoqërive të huaja të kontrolluara: Një krahasim ndërkombëtar”, Fondacioni Kanadez i Tatimeve, 1986; “Shtyrja e të ardhurave të fituara nëpërmjet shoqërive të huaja të kontrolluara të SHBA-së – Një studim politike”, Zyra e Politikës Tatimore, Departamenti i Thesarit, Dhjetor 2000.
Shih gjithashtu: Base company – Shoqëri shërbyese; Branch equivalent method – Metodë ekuivalente e degës; Constructive dividend – Dividend konstruktiv; Deferral – Shtyrje; Deflected income – Të ardhura të devijuara; Foreign accrual property income – Të ardhura të konstatuara nga pasuria e huaj; Foreign base company income – Të ardhura shoqërie shërbyese të huaj; Subpart F income – Të ardhura të nënpjesës F; Tax haven – Vend me pak ose pa tatime
CORRESPONDING ADJUSTMENT – SAKTËSIM KORRESPONDUES
[Appropriate adjustment – Saktësim i përshtatshëm; Collateral adjustment – Saktësim kolaterali; Consequential adjustment (also UK) – Saktësim me konsekuencë (gjithashtu MB); Correlative adjustment (US) – Saktësim i ndërlidhur (SHBA)]
OECD-ja e përkufizon saktësimin korrespondues si “saktësim për detyrimin tatimor të një subjekti të lidhur në një juridiksion tatimor të dytë bërë nga administrata tatimore e atij juridiksioni, që i korrespondon një saktësimi fillestar bërë nga administrata tatimore në juridiksionin e parë, për të siguruar përputhjen e transferimit të fitimeve nga të dy juridiksionet”. Saktësimet korrespondojnë me njëri tjetrin në kuptimin që rezultati i fundit për të dy palët do të ishte ai që do të ishte zbatuar ndërmjet palëve që bëjnë biznes me njëri tjetrin me vlerën e tregut. Kur një saktësim rezulton në rritje të fitimeve të tatueshme për një palë, saktësimi korrespondues për pasojë do të rezultonte në pakësim të fitimeve të tatueshme për palën tjetër. Saktësimet korresponduese parashikohen në Modelin e OECD-së dhe Modelin e OKB-së (quajtur “saktësime përshtatjeje”) por shpesh nuk përfshihen në marrëveshjet dypalëshe. Në dispozita marrëveshjeje standarde (kur përfshihet), ky saktësim nuk kërkohet nëse organet tatimore të vendit në fjalë gjykojnë se saktësimi fillestar pasqyron një standard të vlerës së tregut. Qëllimi i këtij saktësimi është të parandalojë tatimin e dyfishtë që mund të lindë si rezultat i saktësimit fillestar të transferimit të çmimit.
Bibliografi: Neni 9 i Modelit të OECD-së; Raporti i Komitetit për Çështje Fiskale të OECD-së për transferimin e çmimit dhe shqëritë shumëkombëshe: Tre çështje tatimore. Transferimi i çmimit, saktësimet korresponduese, dhe procedura e marrëveshjes dypalëshe”, OECD 1984; Direktiva të OECD-së për Transferimin e Çmimit.
COST-PLUS METHOD – METODË E KOSTOS-PLUS
Metoda kosto-plus është një metodë e transferimit të çmimit e përdorur për të përcaktuar çmimin me vlerë tregu për transferimin e pasurisë dhe shërbimeve. Një vlerë e shtuar e fitimit bruto i shtohet kostos së prodhimit të pasurisë ose të kryerjes së shërbimeve për të arritur në çmimin me vlerën e tregut. Vlera e shtuar e fitimit bruto përcaktohet në bazë të funksioneve të kryera nga tatimpaguesi (duke mbajtur parasysh aktivet e përdorura, rreziqet e marra, dhe kushtet e tregut) ose mbi bazën e transaksioneve të pakontrolluara të krahasueshme. Kjo metodë përdoret zakonisht në lidhje me shitjen e produkteve gjysëm të gatshme (p.sh. në kontekstin e prodhimit me kontratë) ose furnizimin e shërbimeve ndërmjet palëve të lidhura.
CREDIT, FOREIGN TAX – KREDITIM I TATIMIT TË HUAJ
Një kreditim tatimi të huaj është një metodë e lehtësisë së tatimit të dyfishtë ndërkombëtar sipas të cilës, në terma të përgjithshme, tatimet e vendosura mbi të ardhura të huaja mund të kreditohen, d.m.th. të zbriten nga tatimi vendas mbi ato të ardhura. Kreditimi i tatimit të huaj në praktikë jepet me marrëveshje ose rregulla njëpalëshe.
Shuma e kreditimit të tatimit të huaj përgjithësisht është subjekt i një ose më shumë kufizimesh, që quhen kufizime të kreditimit të tatimit të huaj. Kur jepet një kreditim për një tatim të huaj vendosur mbi personin që kërkon kreditimin, ky quhet “kreditim direkt” për t’u dalluar nga një kreditim tatimi indirekt.
Mund gjithashtu të vendosen kufizime për llojin e tatimit për të cilin jepet një kreditim tatimi të huaj.
Bibliografi: Neni 23B i Modelit të OECD-së.
CREDIT, WITHHOLDING TAX – KREDITIM I TATIMIT TË MBAJTUR NË BURIM
Lloje të ndryshme të të ardhurave (si dividendë, interes, honorare/qira të shfrytëzimit të nëntokës (royalties) tatohen në burim duke i kërkuar paguesit ta zbresë tatimin dhe derdhë atë në organet tatimore. Ky tatim i mbajtur në burim nuk është domosdoshmërisht pagesa përfundimtare e tatimit mbi të ardhurat por mund shpesh të jetë një pagesë paraprake në llogari të detyrimit përfundimtar. Tatimpaguesi marrës i këtyre të ardhurave ka të drejtë të kreditojë tatimin e mbajtur në burim kundrejt detyrimit tatimor përfundimtar. Për marrësit jorezidentë, tatimi i mbajtur në burim shpesh është detyrimi tatimor përfundimtar në vendin e burimit por të ardhurat mund të jenë të tatueshme edhe në vendin e tij të rezidencës.
DECLARATION OF TAXPAYER RIGHTS – DEKLARATA E TË DREJTAVE TË TATIMPAGUESIT
Në shkurt të vitit 1985 nga Ministri i të Ardhurave u botua Deklarata e parë Kanadeze e të Drejtave të Tatimpaguesve. Kjo deklaratë mund të jetë e para në këtë fushë, megjithëse disa kushtetuta ose ligje garantojnë të drejtat e tatimpaguesve kundrejt administratës.
Disa nga të drejtat e tatimpaguesve kundrejt organeve tatimore përfshijnë: të drejtën e informacionit, paanshmërinë, mirësjelljen dhe marrjen në konsideratë, prezumimin e ndershmërisë së tatimpaguesit, sekretin vetiak, konfidencialitetin dhe dëgjimin e paanshëm para pagimit të tatimit.
Në deklaratë parashikohet që tatimpaguesi ka të drejtë t’i planifikojë punët e tij në mënyrë të tillë që të paguajë tatimin minimal të kërkuar nga ligji.
DECLINING-BALANCE DEPRECIATION METHOD – METODË AMORTIZIMI ME VLERË TË MBETUR NË RËNIE
[Degressive depreciation method – Metodë amortizimi zbritëse; Diminishing value method – Metodë e vlerës së zvogëluar; Reducing balance depreciation method – Metodë amortizimi me vlerë të mbetur të pakësuar]
Formë e amortizimit të përshpejtuar sipas së cilës zbatohet një normë e caktuar amortizimi për vlerën kontabël të një aktivi të pakësuar nga zbritjet e amortizimit në vitet paraardhëse, d.m.th. për vlerën e mbetur në rënie të vlerës kontabël. Norma e amortizimit mund të shprehet si përqindje e vlerës ekuivalente të amortizimit linear (“metoda e amortizimit me vlerë të mbetur në rënie të kufizuar”). Kështu, nëqoftëse një aktiv ka një jetëgjatësi përdorimi prej 5 vjetësh, një normë amortizimi me vlerë të mbetur në rënie prej 25% mund të përshkruhet si metoda e amortizimit me vlerë të mbetur në rënie prej 125%, d.m.th. 125% e normës ekuivalente të amortizimit linear (20% për një aktiv me jetëgjatësi përdorimi prej 5 vjetësh). Një normë amortizimi me vlerë të mbetur në rënie prej dy herë ekuivalentin e amortizimit linear (40% në këtë shembull) mund të përshkruhet si metodë e amortizimit me vlerë të mbetur në rënie të dyfishtë.
DEDUCTIONS – ZBRITJE
Zbritjet (ndonjëherë quajtur edhe zbritje tatimore) përgjithësisht janë elementë që mund të hiqen, ose zbriten, gjatë llogaritjes së të ardhurës së tatueshme. Zbritjet jepen më shpesh në lidhje me shpenzimin aktual por ato mund gjithashtu të jenë shuma fikse, në vend të shpenzimit aktual. Termi zbritje hera herës përdoret për të zëvendësuar termin lehtësi (reduktime). Për qëllime të TVSH-së, zbritjet janë shumat e TVSH-së së kreditueshme që një person i tatueshëm ka të drejtë t’i rimbursojë kundrejt TVSH-së së zbatueshme. TVSH-ja e kreditueshme mund të jetë e zbritshme edhe kur artikulli i blerë ka humbur, është shkatërruar ose shitur me humbje.
DEFERMENT OF TAX – SHTYRJE E TATIMIT
Shumë vende, në rrethana të caktuara, ofrojnë shtyrjen e tatimit për të nxitur biznesin ose kur tatimi aktual dekurajon ose krijon vështirësi financiare. Shtyrja mund të jetë ose direkte, p.sh. pagesa e tatimit me këste, ose indirekte, p.sh. nëpërmjet amortizimit të përshpejtuar, ose shpërndarjes së të ardhurës në më shumë se 1 vit. Termi shtyrje shpesh përdoret (gabimisht) në lidhje me lehtësinë e qarkullimit që zakonisht kërkon një rillogaritje të shtimit – dhe për pasojë gjithashtu të tatimit – në një datë të mëvonshme që mund të rezultojë në tatim më të lartë ose më të ulët se shuma që duhej paguar pa lehtësinë, p.sh. në varësi të faktit nëse përqindja e tatimit ose vlera e pasurisë ngrihet ose bie.
DEFERRAL – SHTYRJE
Në terma të përgjithshme termi i referohet shtyrjes së tatimit aktual mbi të ardhura që akumulohen financiarisht për tatimpaguesin. Një shembull tipik do të ishte parimi që një shtim kapitali nuk është i tatueshëm derisa të realizohet në fakt (por edhe atëhere shtimi nuk tatohet domosdoshmërisht në fakt, p.sh. kur shtimi nuk njihet për qëllime tatimore). Në kontekstin e tatimit ndërkombëtar termi përdoret për t’iu referuar parimit që e ardhura e një shoqërie të huaj tatohet vetëm në duart e aksionerëve rezidentë kur shpërndahet si dividend. Një përjashtim nga ky parim është legjislacioni i shoqërisë së huaj të kontrolluar i cili do ta bënte të ardhurën subjekt të tatimit aktual në duart e aksionerëve.
DEFERRED INCOME – E ARDHUR E SHTYRË
(1) Term i përgjithshëm për të përshkruar të ardhurën që njihet në një datë të caktuar, duke shtyrë kështu detyrimin tatimor. Termi përdoret në kontekstin e skemave të pensionit ose të pushimeve të vetë-financuara (“plane të të ardhuraës së shtyrë”) për të pasqyruar faktin që njohja e të ardhurës shtyhet për qëllime tatimore deri në tërheqjen e përfitimeve (Kanada). Skemat e të adhurës së shtyrë në një kontekst punësimi shpesh quhen si kompensime të shtyra, ose shpërblime të shtyra. Një shembull tipik do të ishin skemat e aksioneve me opsion për punonjësit.
Bibliografi: “Aspekte të tatimit ndërkombëtar të shpërblimeve të shtyra” IFA Cahiers de
droit fiscal international, Vol. 85b, Kluwer, 2000.
DEPENDENT PERSONAL SERVICES – SHËRBIME PERSONALE TË VARURA
Shprehje e përdorur më parë në Modelin e OECD-së në nenin lidhur me pagat, rrogat dhe shpërblime të tjera të ngjashme nga punësimi. Neni nuk mbulon pensionet, shpërblimet dhe pensionet në lidhje me shërbimin shtetëror, dhe kompensimin e drejtorëve, të cilët trajtohen në nene të tjera. Kjo shprehje u zëvendësua në vitin 2000 nga shprehja “e ardhur nga punësimi” për të pasqyruar shfuqizimin e nenit që parashikonte shërbimet personale të pavarura.
Sipas këtij neni, e drejta për të tatuar këtë lloj të ardhure përgjithësisht i jepet ekskluzivisht vendit ku punonjësi është rezident. Shteti tjetër mund ta tatojë të ardhurën vetëm nëqoftëse punësimi ushtrohet në atë shtet dhe përmbushet një ose më shumë nga tre kushtet. Këto kushte lidhen gjerësisht me kohën e qëndrimit në shtetin tjetër, dhe nëse shpërblimi jepet nga një punëdhënës rezident ose që ka një seli të përhershme në shtetin tjetër. Shprehja mund gjithashtu të përdoret në mënyrë të ngjashme në legjislacionin tatimor vendas.
Bibliografi: Neni 15 i Modelit të OECD-së; L. de Broe, etj., “Interpretimi i Nenit 15(2)(b) i Konventës Model të OECD-së: “shpërblimi i paguar nga, ose në emër të, një punëdhënësi i cili nuk është rezident i shtetit tjetër””, Buletini për Dokumentacionin Fiskal Ndërkombëtar, tetor 2000, 503.
DEPRECIATION – AMORTIZIM (ZHVLERËSIM) I AKTIVEVE TË TRUPËZUARA
Amortizimi është procesi i zbritjes për qëllime tatimore të kostos së aktiveve të caktuara të biznesit. Termi përgjithësisht, por jo gjithmonë, zbatohet në lidhje si me aktivet e trupëzuara ashtu edhe me ato të patrupëzuara (termi amortization ndonjëherë përdoret për aktivet e patrupëzuara). Megjithëse në kontekstin tatimor termi është i ngjashëm me atë të përdorur për qëllime kontabël, shumat shpesh ndryshojnë falë ndryshimeve në metoda ose shkallë. Ndërsa amortizimi përgjithësisht lejohet për jetëgjatësinë e pritshme të përdorimit të një aktivi, shumë vende miratojnë udhëzime për të përcaktuar jetëgjatësinë e pritshme të përdorimit dhe normat e amortizimit, shpesh duke iu referuar kategorive të veçanta të aktiveve. Këto udhëzime përgjithësisht specifikojnë metodën ose metodat e veçanta të amortizimit që duhen zbatuar. Shembuj të metodave të amortizimit përfshijnë metodën lineare të amortizimit, metodën e amortizimit me vlerë të mbetur në rënie, metodën e amortizimit për numrin e viteve dhe metodën e amortizimit për njësi prodhimi.
Shumë vende japin stimuj nëpërmjet rregullave të veçanta të amortizimit, si p.sh. amortizimin e përshpejtuar, amortizimin bonus, amortizimin e lirë dhe lehtësitë (reduktimet) e investimit. Në disa raste, baza e amortizimit mund të kufizohet në koston shtesë (ose shpenzimin rritës) të ndodhur në një vit të veçantë përmbi atë në vitet paraardhëse. Kjo gjë ndodh kur lejohet amortizim i përshpejtuar për shpenzime të K&ZH.
DIPLOMATIC PRIVILEGES – PRIVILEGJE DIPLOMATIKE
Personat me status diplomatik (ambasadorë, konsuj, dhe anëtarë të caktuar të stafit të tyre, por jo konsuj nderi) janë përgjithësisht të përjashtuar nga gjithë detyrimet dhe tatimet e vendosura në shtetin ku ata janë akredituar, me kusht që këto detyrime dhe tatime t’u përkasin të ardhurave, pagave ose pasurisë së lidhur me funksionin e tyre. Ngjashmërisht, pasuria e zotëruar nga një shtet që përdoret për qëllime diplomatike në një shtet tjetër është përgjithësisht e përjashtuar nga tatimi në shtetin e fundit. Marrëveshjet e bazuara në Modelin e OSCD-së tërthorazi i përjashtojnë këta persona nga përkufizimi i rezidentit kur ata janë vetëm subjekt i tatimit mbi burime të kufizuara të të ardhurës ose kapitalit në atë shtet. Për të parandaluar këta persona nga shmangia e ndonjë detyrimi tatimor mbi të ardhurat dhe pasurinë neto të tyre, shumë marrëveshje tatimore përfshijnë një klauzolë që parashikon që e drejta për tatim i rezervohet shtetit dërgues.
Shih gjithashtu: Residence – Rezidencë; Vienna Conventions – Konventat e Vjenës
DIRECTIVE (EU) – DIREKTIVË (BE)
Direktiva është një formë e legjislacionit dytësor brenda Bashkimit Europian. Direktiva u drejtohet Shteteve Anëtare për t’u kërkuar atyre që të bëjnë ndryshime në legjislacionin e tyre vendas që janë të nevojshme për përputhshmërinë me një dispozitë të një marrëveshjeje të KE-së. Direktiva përcakton objektivin e saj, dispozitat që duhet të hyjnë në fuqi dhe datën në të cilën dispozitat duhet të zbatohen. Kështu, një Direktivë është e detyrueshme lidhur me rezultatet për t’u arritur por u krijon hapësirë Shteteve Anëtare për të përcaktuar mënyrën e zbatimit të Direktivës. Nëqoftëse një Shtet Anëtar nuk zbaton dispozitat e një Direktive brenda afatit të caktuar, Direktiva mund të bëhet automatikisht e zbatueshme, d.m.th. koncepti i efektit direkt e lejon një Direktivë të bëhet e detyrueshme në një Shtet Anëtar edhe në mungesë të legjislacionit zbatues të saj në atë vend. Direktivat janë instrumenti kryesor për harmonizimin e sistemeve ligjore të Shteteve Anëtare në lidhje me TVSH-në dhe tatime të tjera.
DIRECT TAX – TATIM DIREKT
Nuk ka dallim përgjithësisht të pranuar ndërmjet një tatimi direkt dhe një tatimi indirekt. John Stuart Mill ka dhënë përkufizimin e mëposhtëm: “Një tatim direkt është ai që kërkohet të paguhet nga ata persona që synohet ose dëshërohet ta paguajnë tatimin. Tatimet indirekte janë ato që kërkohen të paguhen nga një person që pritet dhe synohet që të paguajë (për tatimin e mbledhur prej tij) me shpenzimin e një tjetri.” Kështu mund të thuhet se tipari dallues është nëse tatimpaguesi është personi mbi të cilin pritet të bjerë barra ekonomike e tatimit. Në këtë aspekt, një tatim mund të thuhet se është direkt si në kuptimin e vlerësimit ashtu edhe atë të mbledhjes. Kështu, tatimi mbi të ardhurat përgjithësisht vlerësohet direkt mbi tatimpaguesin por mbledhja e tij po bëhet gjithnjë e më shumë indirekte (p.sh. nëpërmjet mbajtjes në burim). Një tipar dallues i rëndësishëm i tatimeve direkte është marrja parasysh prej tyre e rrethanave të tatimpaguesve të veçantë. Kjo gjë sugjeron që mund të ketë gjithashtu një marrëdhënie ndërmjet tatimeve indirekte dhe tatimeve “in rem” (mbi gjënë), ku ky i fundit përgjithësisht nuk merr parasysh rrethanat personale. Një mënyrë tjetër (përdorur nga Kombet e Bashkuara në Sistemin e saj të Llogarive Kombëtare) e bazon dallimin mbi faktin nëse tatimi vendoset në intervale të rregullta mbi burimin e të ardhurës si p.sh. punësimit ose pasurisë (tatime direkte), apo mbi prodhuesit në lidhje me prodhimin, shitjen, etj. të mallrave dhe shërbimeve, që ata kërkojnë për shpenzimet e prodhimit (tatime indirekte). Një dallim përgjithësisht i pranuar (edhe pse jo gjithëpërfshirës) mund të bëhet mbi bazën nëse tatimi është një tatimi mbi të ardhurën (përfshi shtimet kapitale dhe pasurinë neto) (direkt) apo mbi konsumin (indirekt). Tatimet indirekte konsiderohen të jenë një nga burimet më të vjetra të të ardhurave shtetërore. Shembuj të tatimeve që përgjithësisht shihen si tatime indirekte përfshijnë tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin mbi shitjet, akcizat, taksën e pullës, taksat mbi shërbimet, taksën e regjistrimit, dhe tatimin mbi transaksionet. Ndërsa tatimi mbi dhurimin, detyrimet mbi vdekjen dhe tatimi mbi pasurinë përgjithësisht konsiderohen si tatime direkte, disa forma të detyrimeve mbi vdekjen mund të konsiderohen si tatime indirekte.
DIRECTORS’ FEES – SHPËRBLIME TË DREJTORËVE
Shpërblime që u paguhen anëtarëve të një bordi drejtorësh ose një bordi mbikëqyrës si kompensim për pjesëmarrjen në mbledhjet e bordit dhe shërbime të tjera të kryera për shoqërinë (zakonisht jo si punonjës). Këto shpërblime përgjithësisht janë të zbritshme nga e ardhura e shoqërisë për qëllime tatimore. Ndonjëherë bëhet dallim ndërmjet drejtorëve “aktivë” dhe “joaktivë”, ku shpërblimet e paguara drejtorëve “joaktivë” mund të shihen si një shpërndarje fitimi të fshehur dhe mund të mos jenë të zbritshme. Këto shpërblime normalisht janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat në duart e drejtorëve. Në shumë vende, këto shpërblime që u paguhen drejtorëve jorezidentë janë subjekt i tatimit të mbajtur në burim i cili është përfundimtar. Shpërblimet e drejtorëve zakonisht trajtohen në marrëveshje tatimore, veçanërisht rastet kur një rezident i një shteti është drejtor i një shoqërie rezidente në një shtet tjetër. Sipas shumicës së marrëveshjeve shpërblimet tatohen nga shteti i rezidencës së shoqërisë.
Bibliografi: Neni 16 i Modelit të OECD-së.
DISCRIMINATION – DISKRIMINIM
Diskriminimi mund të përkufizohet përgjithësisht si një trajtim i barabartë i rasteve të ndryshme ose trajtim i pabarabartë i rasteve të krahasueshme. Në një kontekst tatimor ndërkombëtar diskriminimi më shpesh merr formën e trajtimit të ndryshëm të tatimpaguesve rrethanat e të cilëve janë të krahasueshme me përjashtim të një rrethane të tillë si shtetësia. Diskriminimi mund të jetë direkt (ose i hapur) ose indirekt (ose i fshehur) në dallim nga ai direkt (ose i hapur), d.m.th. kur rregulli në fjalë nuk diferencon shprehimisht në lidhje me karakteristikën në fjalë por në praktikë ka efektin e diferencimit. Marrëveshjet tatimore përgjithësisht përmbajnë rregulla jo-diskriminuese që ndalojnë diskriminimin e drejtpërdrejtë në një sërë rrethanash, duke përfshirë diskriminimin ndërmjet shtetasve dhe ndërmjet ndërmarrjeve të dy shteteve kontraktuese. Mund të bëhet dallim ndërmjet diskriminimit horizontal dhe diskriminimit vertikal, ku (në rastin e diskriminimit mbi bazë të rezidencës) i pari i referohet trajtimit tatimor të ndryshëm nga një juridiksion ndërmjet rezidentëve të dy juridiksioneve të ndryshme (përveç juridiksionit tatimor), dhe i fundit i referohet trajtimit tatimor të ndryshëm nga një juridiksion ndërmjet rezidentëve të atij juridiksioni dhe një juridiksioni tjetër. Në kontekstin e legjislacionit tatimor të Bashkimit Europian, ndalimi i diskriminimit pasqyron parimin bazë të trajtimit të barabartë ndërmjet shtetasve dhe jo-shtetasve dhe, veçanërisht, liritë themelore të mishëruara në Marrëveshjen e KE-së (si liria e lëvizjes së mallrave dhe personave, dhe liria e themelimit). Diskriminimi në kontekstin e BE-së ( parim i cili është zgjeruar nga rastet gjyqësore për të përfshirë diskriminimin indirekt) ndalohet përveç kur ka një justifikim që e lejon atë. Diskriminimi i kthyeshëm në kontekstin tatimor shihet përgjithësisht në kuptimin e diskriminimit nga një juridiksion tatimor i shtetasve të tij. Diskriminimi arbitrar përdoret në kontekstin e lirisë së lëvizjes së kapitalit në Bashkimin Europian dhe, ndërsa kuptimi i tij nuk është i qartë, kuptimet e sugjeruara përfshijnë diskriminimin e pajustifikuar si edhe diskriminimin kur nuk ka masa të barasvlerëshme në nivel kombëtar që çojnë në të njëjtin rezultat.
Bibliografi: Neni 24 i Modelit të OECD-së; K. Van Raad, “Mosdiskriminimi në legjislacionin tatimor ndërkombëtar”, Kluwer, 1986; J. Avery Jones, etj., “Neni i mosdiskriminimit në marrëveshjet tatimore”, Tatimi Europian, Tetor 1991, 310; “Rregullat e mosdiskriminimit në tatimin ndërkombëtar”, IFA Cahiers de droit fiscal international, Vol. 78b, Kluwer, 1993; L. Hinnekens, “Mosdiskriminimi në ligjin për tatimin mbi të ardhurat e KE-së: parimi i pikturimit me ngjyrat e kameleonit” Tatimi Europian, Shtator 1996, 286.
DIVIDENDS – DIVIDENDË
Në terma ekonomike, dividendi është norma e fitimit të kapitalit aksioner të investuar në një shoqëri. Në kuptimin ligjor t